Nëse po planifikon të vizitosh Colmarin së shpejti, kjo është guida e plotë për ty, duke filluar nga çmimi i fluturimit, hoteli, aktivitetet që mund të bësh dhe ushqimet tradicionale që mund të provosh.
Dua ta filloj këtë blog duke thënë që Colmari padyshim ia vlen të vizitohet! Është një qytet i vogël shumë i këndshëm, në rajonin e Alsace-s, nga ku mendohet se është frymëzuar edhe “E Bukura dhe Bisha” dhe ndihet sikur je pjesë e një destinacioni përrallash!
Le të fillojmë me:
Biletat e avionit
Biletat i premë në Wizz Air dhe kushtuan rreth €74/personi vajtje-ardhje, Tirana-Basel.
Hoteli
Për hotelin zgjodhëm ibis Budget Colmar Centre Gare (në Colmar), të cilin NUK e sugjeroj, pasi nuk kishte kushte të rehatshme.
Megjithatë, duhet pasur në konsideratë që çmimet në përgjithësi ishin të larta në Colmar dhe akoma më të larta në Bazel dhe Freiburg (nëse do zgjidhnim një opsion akomodimi në njërin prej këtyre vendeve). Qëndrimi në këtë hotel kushtoi €407 + taksat që i paguam atje dhe kushtuan diku rreth €6 për tre persona dhe të treja netët.
Aktivitetet
10 gjëra që mund të bësh në Colmar:
1. Shëtitje në Qytetin e Vjetër Historik
Shëtitja nëpër qytetin e vjetër historik të Colmar nuk kërkon një hartë! Mjafton të eksplorosh rreth e rrotull dhe me siguri do përfundosh nëpër të njëjtat zona sërish… Shtëpitë janë karakteristike, plot ngjyra të këndshme dhe vijëzime prej druri të cilat përfaqësonin Trinitetin e Shenjtë.

Një tjetër detaj shumë interesant: Disa shtëpia kishin forma zemre në dritare dhe mësova që kjo tregonte që vajzat e shtëpisë ishin beqare. Kur ato martohen, babai vendos shenjën e diamantit (por, mendoj se kjo mund të jetë edhe legjendë pasi nuk pashe asnjë dritare me diamant).

2. Provo Ushqim Tradicional
Pretzels (Bretzels)
Mjafton të bësh një shëtitje rreth qytetit të vjetër historik të Colmar dhe patjetër do gjesh një pastiçeri vendase, që me shumë mundësi do ketë pretzels…apo siç quhen atje: bretzels. Për sa i përket shijes, ka disa lloje nga të cilat mund të zgjedhësh. Kjo që morëm ne (e thjeshta) kushtoi rreth €3.60 copa dhe ishte shumë e kripur… por, ia vlen për disa foto, apo jo?!

Macaroons

Nuk mund të vizitosh një destinacion në Francë dhe të mos provosh macaroons! Këto kushtuan €10.9 dhe i mora në një pasticeri që quhet: Maison Alsacienne.
Flammbre
Kjo ka formën e një pice, por brumi është shumë i hollë. Shija është e mirë (jo aq sa e mirë sa pica), por është një opsion nëse do të provosh një ushqim vendas.
French Tacos
French tacos më pëlqyen shumë! Kishin ngjashmëri deri diku me French Tacos që kemi në Tiranë. Por…vendi nuk na pëlqeu, nuk ishte shumë i pastër.
3. Venecia e Vogël

“Little Venice” në Colmar është një nga lagjet më të bukura dhe romantike të qytetit. Me shtëpitë me ngjyra të ndezura, kanalet e vogla dhe varkat që lundrojnë ngadalë, kjo zonë duket sikur ka dalë nga një përrallë! Shëtitja përgjatë ujit, të jep ndjesinë e një vendi magjik, ku koha duket se ndalet. Shumë vizitorë besojnë se është pikërisht ky vend që frymëzoi atmosferën e filmit “Beauty and the Beast”.
4. Xhiro me Varkë

Xhiro me varkë është një nga aktivitetet më të këndshme që bëmë në Colmar. Kushton €8.5 dhe, për mendimin tim, ia vlen! Pamjet janë fantastike, një prej tyre ishte kjo zona plot me bimë, që të jepte ndjesinë e një destinacioni zanash.
5. Muzeu i Çokollatës – Choco-Story
Muzeu i Çokollatës në Colmar, i njohur si Choco-Story, ndodhet në zemër të qytetit. Këtu do filloni një udhëtim interaktiv përmes historisë 5,000-vjeçare të çokollatës, me informacione, histori, demonstrime virtuale dhe disa degustime të çokollatës.
Mund të mësosh rreth origjinës së kakaos, procesit të prodhimit të çokollatës, të shohësh skulptura prej çokollate, të provosh lojërat që janë përgjatë muzeut etj. Muzeu është i hapur çdo ditë nga ora 10:00 deri në 18:00, me hyrjen e fundit në orën 17:00, dhe ofron audioguida në disa gjuhë.
Jashtë muzeut ndodhet një dyqan të vogël ku mund të blesh produkte.
Hyrja nëmuze kushton €15 ose €18 nëse dëshiron të provosh edhe çokollatë të nxehtë.
6. Shatërvani i “Famshëm”

Në qytetin piktoresk të Colmarit ndodhet një shatërvan i njohur si Fontaine Schwendi, i cili shpesh lidhet me filmin e animuar të “E Bukura dhe Bisha”. Ky shatërvan u krijua në vitin 1898 nga skulptori i famshëm lokal Frédéric Auguste Bartholdi.
Nuk ka një konfirmim zyrtar se Colmar ishte frymëzimi i drejtpërdrejtë për fshatin e Belle-s, por shumëvizitorë ndjejnë se kanë hyrë në një përrallë kur ecin nëpër rrugët e qytetit atje.
7. Marche Couvert
Marché Couvert në Colmar është një treg historik që ndodhet pranë zonës së “Little Venice”. Këtu mund të gjesh produkte lokale të freskëta si djathëra, fruta, perime dhe specialitete të rajonit Alsace.
Një ndalesë në Marché Couvert është një mënyrë e bukur për të përjetuar kulturën vendase.
Këtu ndodhet edhe hyrja për te kjo kafeneja kaq e këndshme me pamje nga kanali “Little Venice”:

8. Parc du Champ de Mars

Parku i Champ de Mars në Colmar është një nga hapësirat më të mëdha dhe më të dashura të qytetit, i vendosur midis Place Rapp dhe ndërtesave të Prefekturës së Haut-Rhin.
Në qendër të parkut ndodhet një shatërvan i madh me statujën e admirali Armand Joseph Bruat, vepër e skulptorit të njohur Auguste Bartholdi, e ndërtuar në vitin 1864 . Në pjesën jugperëndimore të parkut ndodhet një karusel i stilit 1900, një model unik në Evropë për madhësinë e tij, si dhe një zonë lojërash për fëmijë.
9. Statuja e Lirisë
Po, edhe në Colmar do të gjesh një Statujë të Lirisë! Këtë atraksion nuk e pamë :(, por pamë që ndodhej pak larg nga qendra historike e Colmar, po ashtu, nëpër qytet do ndeshni disa shenja të vogla rrugës që tregojnë drejtimin nga është statuja.
E vendosur në hyrje të qytetit, kjo statujë është një kopje më e vogël e asaj në Nju Jork dhe është një homazh për skulptorin Frédéric Auguste Bartholdi, i cili lindi pikërisht në Colmar. Ai ishte krijuesi i Statujës së famshme që sot është simbol i Shteteve të Bashkuara. 😳
10. Eksploro Dyqanet me Suvenire
Në Colmar do gjesh plot dyqane lokale me suvenire, çokollata dhe shumë produkte të tjera të këndshme të cilat mund të jenë dhurata perfekte për të dashurit tuaj. Por, mendoj se edhe vetë ‘shopping’ për këto produkte është një eksperiencë më vete!