I ke parasysh ato udhëtimet që “planifikohen” me shoqërinë brenda WhatsApp-it, por duket sikur nuk kthehen kurrë në realitet?
Epoo, më në fund mund të them që një nga synimet e mia “Bëj një udhëtim me shoqërinë” u bë check këtë muaj, në udhëtimin tonë Basel-Colmar-Freiburg. Kanë qenë 3 ditë plot me eksplorime, aventura të bukura dhe kujtime që do i mbaj gjithmonë me vete. ✅
Në këtë ditar udhëtimesh, të ndarë në 3 pjesë, do ndaj me ju itinerarin që ndoqëm (i përshtatshëm për të parë 3 destinacione përgjatë 1 udhëtimi. Sot, do fillojmë me Bazelin:
Biletat & Hoteli
Biletat i premë në Wizz Air dhe kushtuan rreth €74/personi vajtje-ardhje. Për hotelin zgjodhëm ibis Budget Colmar Centre Gare (në Colmar), të cilin NUK e sugjeroj, pasi nuk kishte kushte të rehatshme.
Megjithatë, duhet pasur në konsideratë që çmimet në përgjithësi ishin të larta në Colmar dhe akoma më të larta në Bazel dhe Freiburg (nëse do zgjidhnim një opsion akomodimi në njërin prej këtyre vendeve). Qëndrimi në këtë hotel kushtoi €407 + taksat që i paguam atje dhe kushtuan diku rreth €6 për tre persona dhe të treja netët.
Nga Aeroporti në Qendër
Përpara se të vazhdoj me itinerarin, duhet të keni parasysh 2 detaje.
1 – Në aeroport dolëm nga ana zviceriane (është lehtësisht e kuptueshme se cila është, mjafton t’i hidhni një sy tabelave kur ndodheni brenda aeroportit).
Në Bazel përdoren frangat zviceriane.
2 – Kini parasysh që jo kudo mund të pranojnë euro, pasi në Bazel përdorin CHF (franga zvicerane). Për këtë arsye mund të ndodhë që nuk pranohet një valutë tjetër, ose edhe nëse pranojnë euro, jua kthejnë kusurin në franga zvicerane. Sugjeroj që, nëse përdorni Uber, të pyesni nëse pranojnë pagesë me euro ose kartë paraprakisht (në rastin tonë nuk mund të paguanim në euro dhe fatmirësisht mund të paguaja me kartë). Gjithashtu, nëse nuk keni në plan të qëndroni shumë gjatë në Bazel, edhe nëse paguani me euro, sigurohuni të harxhoni sa mendoni se është e arsyeshme, sepse mund t’ju teprojnë franga zvicerane.
Uberi kushtoi CHF 19.63, ose €20.94.
Çfarë Mund të Bësh në Bazel
Shëtitje Nëpër Qytet
Bazeli është shumë i këndshëm. Në fillim, ndërsa po eksploronim, përfunduam në një zonë të qetë të qytetit dhe më vonë “zbuluam” anën më të gjallërishme të tij. Atë mbushur me dyqane, kafene, njerëz. (Ishte edhe periudha e Eurovizionit, që ka kontribuar në atmosferën që ndihej.)



Basler Münster
Kjo është një kishë në Bazel, (të cilën e pamë vetëm nga jashtë). Fillimisht ka qenë një katedrale katolike, por sot funksionon si kishë protestante e reformuar. Ndërtimi i saj ka nisur në vitin 1019 dhe ka zgjatur deri në vitin 1500, duke kombinuar elementë nga stili romanik dhe ai gotik.

Kopshi Botanik – University of Basel Botanical Garden
– FALAS



“Ky është një nga kopshtet botanikë më të vjetër në botë.
Kopshti Botanik i Universitetit të Bazelit u themelua në vitin 1589 nga Caspar Bauhin dhe sot ndodhet pranë Spalentor-it, në pjesën historike të qytetit. Kopshti ka mbi 7,500 lloje bimësh nga pothuajse të gjitha habitatet kryesore të Tokës.
Sera Tropikale, e rihapur në vitin 2023, së bashku me Serën e Pyllit të Reshjeve, e vetmja e këtij lloji në Europë, ofrojnë një përvojë tropikale unike në qendër të Bazelit.”
Ia vlen të vizitohet, e sugjeroj nëse keni në plan të eksploroni Bazelin.
Rathaus

Pashë Rathaus-in (ndërtesën e bashkisë), fasada e së cilës dhe detajet artistike më pëlqyen shumë. Një ndërtesë shumë e vecante, sic shihet edhe në foto. Pastaj, ecëm nëpër qendrën historike të Bazelit.
Bëmë një ndalesë në Starbucks (rreth 9.5 CHF, €10.15), e më pas vazhduam të shijonim pak atmosferën zvicerane. Ndaluam sërish në një vend që quhej “Cinnamood” ku kishte shumë opsione të cinnamon roll, por me shije nga më të ndryshmet. Mora nje BuenoRoll qe kushtoi 7.70 CHF, ose €8.21.
Mulliri i Letrës – Krijova Letër!!



Mulliri i Letrës në Bazel, i njohur gjithashtu si Basler Papiermühle ose Muzeu Zviceran i Letrës, Shkrimit dhe Shtypjes, është një nga atraksionet më të veçanta kulturore në qytet. Bileta kushtoi 20 CHF, ose €21.36.
Këtu mund të:
- Prodhosh letër me dorë duke përdorur teknika tradicionale.
- Shtypësh në një makinë shtypi të epokës së Gutenbergut.
- Praktikosh kaligrafinë në një dhomë të dedikuar.
- Krijosh letër të marmorizuar.
Kjo ishte një nga eksperiencat më të veçanta që kam provuar ndonjëherë!

Roche Buildings

Këto janë Kullat Roche në Bazel , ndërtesat më të larta të zyrave në Zvicër dhe një simbol i arkitekturës moderne të qytetit. Kulla më e lartë, Roche Building 2, arrin një lartësi prej 205 metrash dhe është projektuar nga arkitektët e njohur zviceranë Herzog & de Meuron. Ndodhet pranë lumit Rhein.
Sa Harxhova në Total në Bazel?
Rreth €102 (duke përfshirë fluturimin)
A Ia Vlen ta Vizitosh Bazelin?
Për mendimin tim ia vlen nëse po planifikon te vizitosh Colmar-in. Mund të bësh një ndalesë prej disa orësh në Bazel dhe nga aty të shkohsh me tren në Colmar.
Shihemi në blog-un e radhës, ku do flas për udhëtimin në Colmar (si shkova atje, aktivitetet që bëra, çmimet etj).